Një aksident trafiku është regjistruar pasditen e së enjtes në Fushë Kosovë, ku një tren është përplasur me një veturë, duke lënë të lënduar një person.
Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila bëri të ditur se informata për aksidentin është pranuar rreth orës 16:20.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë një tren dhe një automjet.
“Rreth orës 16:20 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku në Fushë Kosovë, ku janë përfshirë një tren dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit, një person është lënduar. Me rastin po merret Njësiti Rajonal i Trafikut”, ka deklaruar Ahmeti.
I lënduari ka marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje për gjendjen e tij shëndetësore.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet kompetente, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat në të cilat ndodhi përplasja.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e aksidentit, ndërsa pritet që pas përfundimit të procedurave hetimore të bëhen të ditura më shumë informacione.


Be First to Comment