Skip to content

LAJMI I FUNDIT – Breshëri plumbash ndaj një BMW-je në Gadime të Lipjanit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së martës në Gadime e Ulët të Lipjanit, ku një konflikt mes dy personave dyshohet se përfundoi me të shtëna me armë zjarri në drejtim të një automjeti në lëvizje.

Sipas burimeve, i dyshuari është Flamur Ibrahimi, rreth 41 vjeç, ndërsa viktimë e rastit është E.H., rreth 33 vjeç.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 17:35, kur 33-vjeçari po lëvizte me një veturë BMW me targa gjermane në drejtimin Gadime e Epërme – Gadime e Ulët.

Sipas kallëzimit të viktimës, në afërsi të shkollës së mesme rruga i është bllokuar nga një automjet Audi me ngjyrë hiri. Nga automjeti ka zbritur i dyshuari, i cili fillimisht ka tentuar ta sulmojë fizikisht.

Viktima ka arritur të largohet me veturë, por, sipas hetimeve paraprake, 41-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka shtënë në drejtim të automjetit.

Njëra prej predhave ka goditur BMW-në në anën e djathtë, mbi derën e pasagjerit. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk raportohet për persona të lënduar.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës dhe hetuesit rajonalë të krimeve të rënda, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë mbledhur provat materiale.

Gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar edhe arma që dyshohet se është përdorur në incident, ndërsa të dyja palët janë intervistuar nga organet e hetimit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Flamur Ibrahimi është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Përdorim i armës”.

Prokuroria dhe Policia kanë nisur hetimet për të sqaruar motivin e konfliktit dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *