Skip to content

Albin Kurti jep lajmin që po e prisnim! I KEMI VOTAT

Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se i ka siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, por ka pranuar se zgjedhja e presidentit të ri të vendit do të kërkojë një marrëveshje më të gjerë politike me partitë e tjera parlamentare.

Deklarata vjen në një periudhë kur Kosova ende pret certifikimin përfundimtar të rezultateve zgjedhore, ndërsa partitë politike po zhvillojnë konsultime për krijimin e institucioneve të reja. Përderisa formimi i ekzekutivit konsiderohet i realizueshëm nga partia fituese, zgjedhja e presidentit mbetet pika më e ndjeshme e negociatave politike.

Nagavci: I kemi votat për Qeverinë

Ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha për Radion Evropa e Lirë se partia e saj nuk sheh pengesa për formimin e Qeverisë së re.

Sipas saj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdohet me procedurat kushtetuese për votimin e kabinetit qeveritar.

“Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit ose presidentes”, deklaroi Nagavci.

Vetëvendosje doli fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit me 47.13 për qind të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend, çka e bën forcën më të madhe politike në vend.

Si mund të formohet Qeveria?

Për zgjedhjen e Qeverisë nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend.

Në praktikë, kjo do të thotë se Vetëvendosje mund ta formojë ekzekutivin nëse siguron mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joserbe dhe partnerëve të tjerë parlamentarë, ashtu siç kishte ndodhur edhe me qeverinë e kaluar.

Megjithatë, situata është dukshëm më komplekse kur bëhet fjalë për zgjedhjen e presidentit.

Presidenti mbetet sfida kryesore

Sipas Kushtetutës së Kosovës, për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para duhet të marrin pjesë në votim të paktën 80 deputetë, ndërsa kjo kërkon domosdoshmërisht bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës.

Pikërisht mungesa e këtij konsensusi ishte arsyeja që çoi në krizën institucionale dhe në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Nagavci tha se Vetëvendosje do të bëjë përpjekje maksimale për të siguruar mbështetjen e nevojshme.

“Do të bëjmë gjithçka që është në mandatin tonë që të arrihen votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit. Deputetët duhet të jenë në nivelin e përgjegjësisë që kanë marrë nga qytetarët dhe ta zgjedhim presidentin në mënyrë që të tejkalojmë bllokadën dhe të shmangim edhe një palë zgjedhje”, u shpreh ajo.

Aktualisht, Kosova vazhdon të ketë ushtruese detyre të presidentit, pasi mandati pesëvjeçar i Vjosa Osmanit përfundoi në muajin prill.

Konsultimet politike pritet të intensifikohen

Nagavci bëri të ditur se procesin e konsultimeve me partitë e tjera do ta udhëheqë kryetari i Vetëvendosjes dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Sipas saj, qëllimi është gjetja e një formule që do të mundësonte tejkalimin e ngërçit institucional dhe krijimin e institucioneve të reja pa vonesa të mëtejshme.

Analisti: Vetëvendosje nuk po ofron kompromis politik

Ndryshe e sheh situatën politologu Dritëro Arifi, i cili vlerëson se deklaratat e Vetëvendosjes tregojnë mungesë gatishmërie për një marrëveshje të gjerë politike.

Sipas tij, kërkesa që opozita të votojë presidentin pa pasur rol në qeverisje nuk është një formulë që mund të prodhojë stabilitet afatgjatë.

Ai konsideron se partitë opozitare kanë paraqitur kushte konkrete për bashkëpunim dhe se ato nuk pritet të japin mbështetje pa një marrëveshje politike që përfshin edhe orientimin strategjik të vendit.

Çfarë kërkojnë partitë opozitare?

Edhe pse deri tani nuk kanë dhënë përgjigje zyrtare për konsultimet e fundit, drejtuesit e partive opozitare kanë bërë publike qëndrimet e tyre në javët e fundit.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është shprehur se vendi ka nevojë për një marrëveshje politike të plotë që përfshin formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se para ndarjes së posteve duhet të diskutohen çështjet strategjike për zhvillimin e vendit.

Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij e konsideron jetike dakordimin për orientimin strategjik të Kosovës, përfshirë projektin e gazit amerikan, politikat e sigurisë dhe zhvillimin ekonomik, përpara se të diskutohet për emrat në institucionet më të larta.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paraqitur gjashtë kushte për mbështetjen e institucioneve të reja, ku ndër to përfshihen pranimi i projektit të gazit amerikan, ndërtimi i një termocentrali të ri dhe prioritete të tjera ekonomike.

Rreziku i zgjedhjeve të reja

Nëse partitë politike nuk arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit brenda afateve kushtetuese, Kosova rrezikon të përballet sërish me zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kjo do të ishte hera e katërt që qytetarët do t’u drejtoheshin kutive të votimit që nga shkurti i vitit 2025, duke e zgjatur edhe më tej pasigurinë politike dhe institucionale.

Në këtë fazë, vendi pret fillimisht certifikimin e rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, proces që varet nga shqyrtimi i ankesave në Gjykatën Supreme. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi do të mund të nisë zyrtarisht konstituimi i Kuvendit dhe procedurat për krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *