Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e cila disa ditë më parë u largua nga Partia Socialiste dhe iu bashkua protestave që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, ka folur për jetën e saj private dhe stilin e jetesës, duke theksuar se nuk synon një jetë luksoze.
Në një intervistë për Media60, Koçeku bëri të ditur se aktualisht jeton me qira, si në Tiranë ashtu edhe në Shkodër, duke theksuar se zgjedhjet e saj në jetë nuk lidhen me pasurinë apo luksin.
“Unë jetoj me qira si në Tiranë, si në Shkodër”, u shpreh deputetja.
Gjatë intervistës, ajo u pyet edhe për kolegen e saj, Zegjine Çaushi, për të cilën u përmend se kishte blerë një apartament të shtrenjtë. Megjithatë, Koçeku shmangu komentet për të dhe preferoi të fliste vetëm për veten.
“Po flas për veten dhe nuk do të më shihni duke blerë një apartament apo duke shkuar në vende shumë të shtrenjta, sepse nuk kam qenë asnjëherë fanse e kësaj jete dhe vazhdoj të mos jem”, deklaroi ajo.

Deputetja theksoi se mënyra e saj e jetesës lidhet ngushtë me bindjet dhe përvojën e saj personale, duke shtuar se nuk dëshiron të ndryshojë stilin e jetës pavarësisht angazhimit në politikë.
“Qëllimet e mia dhe stili i jetesës sime janë krejt ndryshe. Lidhen edhe me atë që kam bërë më parë dhe nuk mund t’i iki vetes, pavarësisht se ku bëj pjesë dhe çfarë rrugëtimi do të ndjek, politik apo jo”, u shpreh Koçeku.
Marjana Koçeku u bë pjesë e debatit politik në Shqipëri pasi u largua nga Partia Socialiste dhe më pas iu bashkua protestave opozitare kundër qeverisë së Edi Ramës.
Deklaratat e saj për jetën modeste dhe refuzimin e luksit kanë ngjallur reagime në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kanë komentuar qëndrimin e saj ndaj mënyrës së jetesës së politikanëve.

Be First to Comment