Skip to content

Humbje e rëndë për deputeten shqiptare, ndërron jetë bashkëshorti i saj

Deputetja e Partisë Demokratike në Shqipëri, Elda Hoti, është përballur me një humbje të rëndë familjare, pasi bashkëshorti i saj, Ladi Ndoja, ka ndërruar jetë në moshën 46-vjeçare.

Lajmin e hidhur e bëri të ditur vetë deputetja përmes një postimi në rrjetet sociale, ku i dha lamtumirën bashkëshortit me një mesazh prekës.

“U prehsh në paqe, i miri i zemrës time! Ladi im, shpirti im. Do na mungosh gjithë jetën”, shkroi Elda Hoti, duke shprehur dhimbjen për humbjen e njeriut të saj më të afërt.

Më pas, edhe vëllai i të ndjerit, Aleksandër Ndoja, konfirmoi lajmin, duke bërë të ditur se Ladi Ndoja ndërroi jetë papritur si pasojë e një ataku kardiak. Në mesazhin e tij, ai tha se kjo humbje e papritur ka tronditur familjen dhe të afërmit, ndërsa la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur.

“U prehsh në paqe, i dashur Ladi! Kujtimi yt do të mbetet përherë në zemrat tona”, ka shkruar ai, duke kërkuar mirëkuptimin e miqve dhe të afërmve në këto momente të vështira për familjen.

Ladi Ndoja kishte qenë më herët në qendër të vëmendjes së autoriteteve. Në maj të vitit 2025 ai ishte arrestuar në Shqipëri në kuadër të një hetimi për vepra që lidhen me krimet zgjedhore.

Po gjatë vitit 2025, ai ishte arrestuar edhe në Valencia të Spanjës së bashku me një shtetas tjetër shqiptar. Sipas autoriteteve spanjolle, të dy dyshoheshin se kishin përshtatur një banesë për kultivimin, përpunimin dhe shpërndarjen e kanabisit. Rasti ishte pjesë e një hetimi të zhvilluar nga autoritetet ligjzbatuese në Spanjë.

Lajmi për ndarjen nga jeta të 46-vjeçarit ka ngjallur reagime dhe mesazhe ngushëllimi në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë, miq dhe kolegë i kanë shprehur ngushëllimet deputetes Elda Hoti dhe familjes së saj.

Shënim: Për ngjarjet e përmendura të vitit 2025 vlejnë parimet e prezumimit të pafajësisë, për aq kohë sa nuk ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *