Skip to content

Detaje të reja nga Suhareka: Babai plagosi djalin, konflikti dyshohet se nisi për nipin

Janë zbardhur detaje të reja lidhur me rastin e rëndë që ndodhi në fshatin Savrovë të Suharekës, ku një konflikt brenda familjes përfundoi me plagosjen e një 40-vjeçari me armë zjarri.

Sipas informacioneve të bëra publike, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshjeje familjare. Viktima, V.K., 40 vjeç, kishte zhvilluar një bisedë me djalin e xhaxhait të tij, veprim që, sipas dyshimeve fillestare, kishte shkaktuar pakënaqësi te babai i tij, D.K., 77 vjeç.

Bazuar në të dhënat paraprake, i moshuari dyshohet se është revoltuar, duke konsideruar se djali i tij nuk kishte raporte të mira me vëllain e tij. Pas debatit, ai dyshohet se ka përdorur armën e zjarrit, duke plagosur të birin.

Menjëherë pas incidentit, i dyshuari ishte mbyllur brenda shtëpisë dhe nuk pranonte të dorëzohej. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës, të cilat kanë zhvilluar negociata me të për ta bindur të dilte nga objekti.

Pas një periudhe negociatash, 77-vjeçari është dorëzuar dhe është arrestuar nga policia pa incidente të tjera.

Rreshteri i Policisë në Suharekë, Dalip Matoshi, ka deklaruar se i dyshuari fillimisht kishte mohuar të posedonte armë zjarri. Megjithatë, gjatë kontrollit të vendit të ngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një karikator dhe pesë fishekë të kalibrit 9 milimetra, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë incidentit.

Viktima fillimisht ka marrë ndihmën e parë në Qendrën Emergjente në Suharekë, ndërsa më pas është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Deri më tani nuk janë publikuar detaje zyrtare për gjendjen e tij shëndetësore.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për veprat “Lëndim i lehtë trupor”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës”. Ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *