Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë përpjekjet gjatë ditëve në vijim për të arritur një marrëveshje politike që do të mundësonte formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke theksuar se ende është herët për të parashikuar rezultatin e bisedimeve.
I pyetur nëse do të vazhdojë takimet dhe diskutimet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, lidhur me krijimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të, Kurti tha se ekziston gatishmëri për të vazhduar dialogun, por se epilogu i negociatave mbetet i hapur.
Sipas tij, ditët që kanë mbetur deri në mbajtjen e seancës konstituive do të shfrytëzohen maksimalisht për të zhvilluar konsultime dhe për të përgatitur terrenin për konstituimin e institucioneve të reja.
“Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të. Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, deklaroi Kurti.
Kryeministri në detyrë i bëri këto komente pas pjesëmarrjes në pritjen e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë për bashkatdhetarët që kanë ardhur në Kosovë gjatë sezonit veror.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë kur në skenën politike po intensifikohen përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja.
Një ditë më parë, edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se pas përfundimit të procesit të brendshëm zgjedhor në parti është hequr pezullimi i bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se LDK-ja është e gatshme të vazhdojë diskutimet për formimin e institucioneve.
Nga ana tjetër, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se nëse ekziston vullnet politik nga të dyja palët, marrëveshja mund të arrihet brenda 24 orëve, duke theksuar se LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj parimeve që i ka prezantuar në takimet e deritanishme.
Seanca konstituive e legjislaturës së 11-të pritet të mbahet gjatë javës së ardhshme, ku deputetët fillimisht do të bëjnë betimin, ndërsa më pas do të zhvillohen procedurat për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Formimi i institucioneve të reja do të varet nga arritja e marrëveshjeve politike ndërmjet partive parlamentare, të cilat pritet të vazhdojnë negociatat edhe në ditët në vijim.

Be First to Comment