Skip to content

Ministrit Armend Muja sapo i erdhi një lajm i keq

Qumështorja VITA reagon pas deklaratës së Armend Mujës: Vetë ministri konfirmoi se në qumështin tonë nuk u gjet vaj palme

Qumështorja VITA ka reaguar pas deklaratave të bëra nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, duke e akuzuar atë për qasje politike dhe përpjekje për të dëmtuar imazhin e kompanisë dhe të prodhuesve vendorë të qumështit.

Në reagimin e saj publik, kompania thekson se vetë ministri ka pranuar gjatë konferencës për media se analizat laboratorike nuk kanë konstatuar praninë e vajit të palmës në qumështin VITA.

“Edhe këtë herë, ministri u përpoq përmes deklaratave politike dhe interpretimeve të përgjithshme ta njollosë VITA-n dhe qumështin e fermerëve të Kosovës. Por faktet nuk mund të ndryshohen me propagandë politike”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Sipas VITA-s, që nga fillimi i kësaj çështjeje, kërkesa e saj ka qenë që analizat laboratorike të bëhen publike, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të njihen me rezultatet zyrtare.

“Pikërisht këtë kemi kërkuar që nga dita e parë: publikoni analizat dhe lërini qytetarët ta shohin të vërtetën”, thekson kompania.

Qumështorja njofton se ka ripublikuar analizat zyrtare të dërguara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke ftuar qytetarët që t’i shqyrtojnë vetë dokumentet dhe rezultatet laboratorike.

Në reagim, kompania kritikon edhe faktin që, sipas saj, ministri Armend Muja ka përqendruar deklaratat e tij vetëm te VITA, ndërsa thekson se nuk do të heshtë përballë, siç e cilëson, dëmtimit të një prej markave vendore.

“Ne nuk do të heshtim përballë dëmtimit të një brendi vendor dhe të qumështit që vjen nga fermerët e Kosovës”, thuhet në reagim.

Në fund, VITA thekson se të gjitha dokumentet dhe analizat janë publike dhe se, sipas saj, rezultatet flasin vetë.

Reagimi i kompanisë vjen pasi ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, deklaroi se në një mostër të qumështit VITA nuk ishte konstatuar prani e vajit të palmës, ndërsa paralajmëroi se kontrollet ndaj subjektit prodhues do të vazhdojnë edhe për produktet e tjera, në përputhje me procedurat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *