Aktivistja dhe influencerja Rexhina Roci ka bërë të ditur se ka denoncuar tre deputete të Kuvendit të Shqipërisë, Sara Mile, Romina Kuku dhe Zegjine Çaushi, duke pretenduar se ato kanë publikuar pa autorizimin e saj një video në rrjetet sociale.
Sipas Rocit, publikimi i videos ka nxitur një valë komentesh fyese dhe bullizuese në rrjetet sociale, të cilat, sipas saj, i kanë shkaktuar ngarkesë të rëndë psikologjike.
Në reagimin e saj, ajo pretendon se në komentet e postimeve janë rikthyer edhe referenca ndaj një ngjarjeje shumë të vështirë nga e kaluara e saj, kur në moshë të mitur kishte kaluar një krizë të rëndë personale, çështje për të cilën ka folur edhe më herët publikisht.
Roci ka deklaruar se deputetet, sipas saj, nuk kanë ndërhyrë për të frenuar gjuhën e urrejtjes dhe komentet ofenduese që u publikuan pas shpërndarjes së videos, duke pretenduar se kjo ka ndikuar në përkeqësimin e situatës.
Në deklaratën e saj, aktivistja ka bërë të ditur se synon ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore, por ka theksuar se për shkak të pamundësive ekonomike nuk mund të përballojë shpenzimet për një avokat.
Për këtë arsye, ajo u ka bërë thirrje personave dhe organizatave që ofrojnë ndihmë juridike ta mbështesin në këtë proces.
Roci ka paralajmëruar gjithashtu se, përveç kallëzimit ndaj deputeteve, do t’u drejtohet edhe strukturave të Krimit Kibernetik, duke kërkuar hetimin e rastit dhe marrjen e masave në përputhje me ligjin.
Deri më tani, nuk ka pasur një reagim publik nga deputetet e përmendura lidhur me pretendimet e ngritura nga Rexhina Roci.


Be First to Comment