Skip to content

Konfirmon kryeministri Albin Kurti

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja parlamentare dhe për të zhbllokuar ngërçin institucional.

Në një deklaratë të shkurtër për media, Kurti bëri të ditur se është në komunikim me liderët e partive parlamentare dhe se dialogu mbetet rruga e vetme për të arritur një marrëveshje që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.

“Jemi në komunikim edhe do të përpiqemi për çdo ditë që ta arrijmë marrëveshjen politike në mënyrë që t’i shmangim zgjedhjet e panevojshme, të paarsyeshme, sepse ato vetëm sa do të përsëriten”, deklaroi Kurti.

Ai u bëri edhe një herë thirrje drejtuesve të partive politike që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të kërkojnë një zgjidhje të përbashkët për krizën aktuale.

“U bëj thirrje edhe një herë liderëve të partive të tjera që të diskutojmë e të merremi vesh, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duan zgjedhje, duan zgjidhje. E zgjidhja është marrëveshja politike”, u shpreh ai.

Deklarata e Kurtit vjen në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me ngërç institucional pas moskonstituimit të Kuvendit, ndërsa partitë politike mbeten me qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën e zgjidhjes së krizës.

Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar vazhdimisht në arritjen e një marrëveshjeje politike gjithëpërfshirëse, duke e lidhur konstituimin e Kuvendit me një dakordim më të gjerë për institucionet e reja, përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.

Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë kërkuar që fillimisht të përfundojë procesi i konstituimit të Kuvendit, duke argumentuar se procedurat kushtetuese duhet të respektohen pa u kushtëzuar me marrëveshje të tjera politike.

Pavarësisht dallimeve, Kurti ka bërë të ditur se komunikimi me liderët politikë do të vazhdojë në përpjekje për të arritur një marrëveshje që do t’i japë fund bllokadës institucionale dhe do të shmangë organizimin e zgjedhjeve të reja.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *