Nis kontrolli i madh i shtesave për fëmijë, mijëra familje do të verifikohen – këta përfitues rrezikojnë të largohen nga skema
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka nisur një proces të gjerë verifikimi të përfituesve të shtesave për fëmijë, me qëllim që mbështetja financiare nga buxheti i shtetit të përfitohet vetëm nga familjet që i plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj.
Procesi i kontrollit vjen në një kohë kur shtesat mujore për fëmijë janë rritur në 30 euro, ndërsa institucionet kanë ngritur dyshime se një numër i caktuar përfituesish vazhdojnë të marrin pagesa edhe pse nuk jetojnë më në Kosovë.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht rreth 406 mijë fëmijë janë pjesë e skemës së shtesave për fëmijë. Megjithatë, emigrimi i vazhdueshëm i qytetarëve ka shtuar dyshimet se një pjesë e familjeve që janë shpërngulur jashtë vendit vazhdojnë të përfitojnë padrejtësisht nga kjo skemë sociale.
Vetëm gjatë vitit të fundit, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 37 mijë qytetarë janë larguar nga vendi, çka ka shtyrë institucionet të ndërmarrin një proces të detajuar verifikimi.
Këshilltari për media në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Liridon Llozani, ka konfirmuar se kontrollet tashmë kanë filluar dhe se një numër i konsiderueshëm përfituesish janë duke u verifikuar.
“Ka një numër të atyre që kanë përfituar dhe që nuk kanë qenë banorë të Kosovës. Është një numër i konsiderueshëm i tyre që i janë nënshtruar kontrollit. Meqenëse procesi vazhdon, nuk e kam shifrën e saktë se sa prej tyre janë larguar nga skema e përfitimit për shtesa për fëmijë”, ka deklaruar Llozani.
Sipas ministrisë, verifikimi po realizohet përmes platformës e-Kosova, duke krahasuar të dhënat e Departamentit të Skemave Sociale me bazat e të dhënave të institucioneve të tjera shtetërore.
Qëllimi është të identifikohen rastet kur përfituesit nuk banojnë më në Kosovë ose nuk i përmbushin më kriteret ligjore për të vazhduar marrjen e shtesave.
Sipas autoriteteve, nga skema do të largohen të gjithë përfituesit që pas verifikimit rezultojnë se nuk jetojnë në Kosovë ose nuk i plotësojnë kushtet ligjore, ndërsa familjet që përmbushin kriteret do të vazhdojnë të marrin pagesat pa ndryshime.
Njohësit e politikave sociale e kanë mirëpritur këtë proces, duke theksuar se ai është i domosdoshëm për të parandaluar keqpërdorimin e fondeve publike dhe për të siguruar që mbështetja financiare të shkojë vetëm te familjet që kanë të drejtë ligjore.
Hulumtuesja e politikave sociale dhe arsimore, Bardha Qirezi, vlerëson se sistemi aktual ende ka mangësi, sidomos për shkak të mungesës së një ndërlidhjeje të plotë mes sistemeve elektronike të institucioneve.
Sipas saj, një sistem më i integruar do të mundësonte verifikim më të shpejtë të vendbanimit, statusit të punësimit dhe të dhënave të tjera sociale, duke parandaluar përfitimet e padrejta.
Nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se, krahas procesit të verifikimit, është në përgatitje edhe një ligj i ri, i cili do të rregullojë më qartë kriteret, procedurat dhe kushtet për përfitimin e shtesave për fëmijë dhe skemave të tjera sociale.
Verifikimet do të vazhdojnë deri në kontrollimin e të gjitha rasteve, ndërsa institucionet synojnë që fondet publike të përfundojnë vetëm te familjet që jetojnë në Kosovë dhe që i plotësojnë kriteret ligjore për përfitim.

Be First to Comment