Një debat i ri është ndezur në skenën politike dhe në rrjetet sociale, pasi disa eksponentë dhe përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje shpërndanë një përmbajtje duke pretenduar se gazeta serbe “Blic” kishte raportuar për incidentin me deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.
Sipas pretendimit të shpërndarë në rrjetet sociale, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, thuhej se kishte lavdëruar veprimin e Time Kadrijajt ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas incidentit ku ajo hodhi vezë në drejtim të tij.
Megjithatë, sipas raportimeve, një artikull i tillë nuk figuron në faqen zyrtare të gazetës serbe “Blic”, ndërsa pretendohet se imazhi i shpërndarë është krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI).
Përmbajtja është shpërndarë fillimisht nga Elvis Hoxha, bashkëpunëtor i afërt i Albin Kurtit, ndërsa më pas është ripublikuar edhe nga përkrahësi i Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja.
Ramabaja e shoqëroi postimin me komentin:
“Kur një deputete thyen kufirin e brishtë mes lirisë së shprehjes dhe paditurisë strategjike.”
Pas publikimit të këtyre pretendimeve, në rrjetet sociale kanë nisur reagime të shumta, ku përdorues të ndryshëm kanë vënë në dyshim autenticitetin e ballinës së pretenduar të gazetës “Blic”, duke publikuar edhe atë që e konsiderojnë si ballinën reale të mediumit serb.
Debati vjen në një periudhë të tensionuar politike në Kosovë, pas ngjarjeve në seancën konstituive të Kuvendit, ku deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, gazeta “Blic” nuk ka reaguar publikisht lidhur me pretendimet për përdorimin e logos dhe identitetit të saj, ndërsa nuk ka pasur as një reagim zyrtar nga Elvis Hoxha apo Sadri Ramabaja për akuzat se materiali i shpërndarë është i gjeneruar me inteligjencë artificiale.

Be First to Comment