Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi, ku Vjosa Mana, 35 vjeçe, ka humbur jetën pak kohë pasi solli në jetë foshnjën e saj.
Rasti ka ngritur pikëpyetje të shumta, ndërsa familjarët e saj kërkojnë një hetim të plotë dhe transparent për të sqaruar rrethanat që çuan në vdekjen e të resë.
Sipas familjes, Vjosa Mana ishte paraqitur në spital për një lindje të planifikuar me operacion cezarian. Fillimisht, gjithçka ishte paraqitur si një ndërhyrje normale dhe familjarëve u ishte thënë se gjendja e saj ishte stabile.
Megjithatë, sipas bashkëshortit të saj, Eneo Rushita, situata ndryshoi menjëherë pas lindjes. Ai ka deklaruar në një intervistë televizive se familja nuk ishte informuar në kohë për komplikacionet që kishin lindur dhe për ndërhyrjet e mëvonshme kirurgjikale.
Sipas tij, vetëm më vonë mësoi se bashkëshortja ishte futur në një operacion të dytë urgjent, gjatë të cilit, për shkak të një hemorragjie të brendshme, mjekët dyshohet se u detyruan t’i hiqnin mitrën në përpjekje për t’i shpëtuar jetën.
“Fillimisht na u tha se gjithçka ishte nën kontroll. Më vonë mësova se kishte pasur një operacion të dytë. Të nesërmen në mëngjes ajo ndërroi jetë”, ka deklaruar bashkëshorti i saj.
Ai shtoi se deri më tani familja nuk ka marrë një shpjegim të plotë nga autoritetet shëndetësore dhe se është në pritje të rezultateve të ekspertizave dhe analizave mjeko-ligjore, të cilat pritet të hedhin dritë mbi shkakun e vdekjes.
Familjarët kërkojnë që rasti të hetohet në mënyrë të pavarur dhe të zbardhen të gjitha veprimet mjekësore të kryera gjatë trajtimit të 35-vjeçares.
Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe dhimbje të madhe, ndërsa familja shpreson që hetimet të sqarojnë nëse janë respektuar të gjitha procedurat mjekësore dhe nëse ka pasur apo jo neglizhencë gjatë trajtimit të Vjosa Manës.
Autoritetet greke nuk kanë publikuar ende një raport përfundimtar mbi shkaqet e vdekjes, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Be First to Comment