Një fenomen i rrallë astronomik pritet të ndodhë pasditen e së mërkurës, më 12 gusht, kur Hëna do të kalojë përpara Diellit duke krijuar një eklips diellor, i cili do të ndiqet me interes nga miliona njerëz në mbarë botën.
Megjithëse eklipset diellore konsiderohen ndër ngjarjet më spektakolare të natyrës, ekspertët paralajmërojnë se vëzhgimi i tyre pa pajisjet e duhura mund të shkaktojë dëmtime serioze dhe të përhershme të shikimit.
Sipas specialistëve, rreziku kryesor lidhet me ekspozimin e drejtpërdrejtë të syve ndaj rrezeve të Diellit gjatë eklipsit. Edhe pse Dielli mbulohet pjesërisht nga Hëna, rrezatimi i tij mbetet mjaftueshëm i fortë për të dëmtuar retinën.
Ekspertët sqarojnë se eklipsi nuk paraqet rrezik për shëndetin në përgjithësi, nuk ndikon te shtatzënia, ushqyerja apo funksionet e tjera të organizmit. Rreziku kryesor është për sytë, pasi shikimi i drejtpërdrejtë i Diellit mund të shkaktojë retinopati diellore, një dëmtim që në disa raste mund të jetë i pakthyeshëm.
Një nga aspektet më shqetësuese është se dëmtimi mund të ndodhë pa shkaktuar dhimbje apo shqetësime të menjëhershme. Simptomat mund të shfaqen vetëm disa orë ose edhe disa ditë më vonë, kur dëmi në retinë tashmë është krijuar.
Si mund të vëzhgohet eklipsi në mënyrë të sigurt?
Astronomët dhe okulistët rekomandojnë që eklipsi të vëzhgohet vetëm me syze speciale për eklipse, të certifikuara sipas standardit ndërkombëtar ISO 12312-2.
Ata theksojnë se syzet e zakonshme të diellit nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme, pavarësisht errësimit të tyre. Po ashtu, nuk duhet të përdoren filma radiografikë, xhama të errët, syze saldimi të papërshtatshme, CD, lente fotografike apo mjete të improvizuara, pasi nuk mbrojnë retinën nga rrezatimi i dëmshëm.
Fëmijët dhe të moshuarit në grupet më të rrezikuara
Sipas ekspertëve, fëmijët dhe adoleshentët janë ndër grupet më të ndjeshme, pasi sytë e tyre janë më të prekshëm ndaj dëmtimeve dhe kurioziteti mund t’i shtyjë të shikojnë Diellin pa mbrojtje.
Prandaj, rekomandohet që ata ta ndjekin fenomenin vetëm nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të të rriturve dhe duke përdorur pajisjet e duhura mbrojtëse.
Rrezik më të lartë kanë gjithashtu personat me sëmundje ekzistuese të syve, të moshuarit dhe ata që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale okulistike.
Kur duhet të kërkohet ndihmë mjekësore?
Mjekët këshillojnë që kushdo që, pas vëzhgimit të eklipsit, vëren turbullim të shikimit, njolla të errëta, shtrembërim të pamjes ose vështirësi në fokusim, të paraqitet sa më shpejt te një okulist.
Edhe nëse simptomat duken të lehta, ato nuk duhet të neglizhohen, pasi dëmtimet e retinës mund të shfaqen me vonesë dhe, në disa raste, mund të jenë të përhershme.
Ekspertët bëjnë thirrje që ky fenomen i veçantë astronomik të shijohet me kujdes dhe duke respektuar udhëzimet e sigurisë, në mënyrë që të shmangen pasojat për shëndetin e syve.

Be First to Comment