Janë bërë publike detaje të reja nga dëshmia e Kristjan Sterjos, i dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë, një ngjarje që tronditi opinionin publik.
Autori i dyshuar, i cili u arrestua nga Policia e Shtetit rreth gjashtë orë pas ngjarjes, ka dhënë deklarimet e tij para grupit hetimor, duke treguar versionin e tij lidhur me konfliktin që parapriu vrasjen.
Sipas burimeve nga hetimi, Sterjo ka deklaruar se marrëdhëniet mes tij dhe viktimës ishin tensionuar prej disa kohësh për shkak të konflikteve të vazhdueshme. Në dëshminë e tij, ai ka pretenduar se një nga arsyet që ndikoi në përshkallëzimin e situatës ishte edhe ngacmimi i të dashurës së tij nga viktima.
Megjithatë, hetuesit dyshojnë se konflikti nuk lidhej vetëm me këtë episod. Sipas të dhënave të mbledhura deri më tani, dy të rinjtë kishin pasur përplasje të përsëritura edhe më herët, të shoqëruara me debate dhe provokime, të cilat, sipas hetimeve paraprake, lidhen edhe me rivalitetin mes tyre dhe pretendimet se kush ishte “më i forti” në lagje.
Nga informacionet e deritanishme rezulton se disa ditë para ngjarjes kishte pasur përplasje verbale mes tyre, ndërsa tensionet nuk ishin shuar.
Sipas dëshmisë së autorit të dyshuar, ditën e ngjarjes ai mori armën e zjarrit dhe u nis në drejtim të 20-vjeçarit. Hetimet paraprake dyshojnë se gjatë përballjes ai e qëlloi viktimën me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë që rezultuan fatale.
Pas ngjarjes, Kristjan Sterjo u largua nga vendi i krimit dhe qëndroi në arrati për rreth gjashtë orë. Sipas raportimeve, ai fillimisht ishte fshehur në një zonë pranë varrezave të qytetit, ndërsa më vonë u afrua në drejtim të banesës së tij. Pikërisht në atë moment u lokalizua nga forcat e policisë, të cilat ndërhynë dhe e arrestuan.
Grupi hetimor po vazhdon veprimet për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes, për të verifikuar deklarimet e autorit të dyshuar dhe për t’i krahasuar ato me provat materiale, dëshmitë e mbledhura dhe ekspertizat.
Ndërkohë, autoritetet theksojnë se motivi dhe rrethanat e plota të krimit mbeten objekt i hetimeve dhe do të përcaktohen në përfundim të procedurave hetimore dhe procesit gjyqësor.
Burimi: TCH.

Be First to Comment