Skip to content

Albin Kurti tregon pse nuk dha emër për kandidat për kryetar të Kuvendit

Kurti tregon pse LVV-ja nuk propozoi kandidat për kryeparlamentar, seanca ndërpritet pas incidentit me vezë

Në një konferencë për media pas ndërprerjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë arsyetimin e tij lidhur me vendimin e grupit parlamentar të LVV-së për të mos propozuar një emër për kryetar të Kuvendit.

Kurti ka deklaruar se, ndonëse LVV-ja i ka votat e nevojshme për të propozuar dhe zgjedhur kryetarin e Kuvendit, ata kanë vendosur të mos e bëjnë një gjë të tillë pa arritur më parë një marrëveshje politike.

Sipas Kurtit, çdo konstituim i Kuvendit pa një marrëveshje politike që do të garantonte qëndrimin e deputetëve në sallë dhe votimin për presidentin e Republikës së Kosovës do ta çonte vendin drejt një tjetër krize politike.

Ai ka argumentuar se një konstituim i tillë, pa garanci për hapat e mëtejmë institucionalë, “pashmangshëm do të na shpinte te zgjedhjet e reja, të përsëritura, të parakohshme, të paarsyeshme, të panevojshme dhe gjithsesi të dëmshme”.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës u ndërpre pasi Kurti kërkoi më shumë kohë për të vendosur lidhur me emrin e kandidatit për kryeparlamentar.

Situata në Kuvend u tensionua më tej pas këtij zhvillimi. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit dhe grupit parlamentar të LVV-së.

Incidenti shkaktoi reagime në sallë dhe detyroi kryesuesin e seancës, Avni Dehari, që ta ndërpresë vazhdimin e seancës.

Ngjarja u zhvillua në një atmosferë të tensionuar politike, ndërsa mbetet e paqartë se kur do të ketë një marrëveshje mes subjekteve politike për të zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *