Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Avni Dehari, ka caktuar vazhdimin e seancës konstituive për sot në ora 11:00, një ditë pasi përfundoi afati i përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit të Kosovës, deputetët do të mblidhen për të vazhduar procedurat e mbetura të konstituimit të legjislaturës së njëmbëdhjetë.
“Të shtunën, më 8 gusht 2026, në orën 11:00, vazhdon seanca konstituive e Legjislaturës XI të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Rendi i ditës: 3. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit; 4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Vazhdimi i seancës vjen pasi afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit skadoi mbrëmjen e së premtes në mesnatë, pa u përmbyllur procesi.
Gjatë ditës së djeshme pati zhvillime intensive politike, takime mes liderëve partiakë, shkëmbim letrash dhe thirrje të opozitës që seanca të mbahej brenda afatit kushtetues. Megjithatë, Kuvendi nuk u mblodh para skadimit të afatit.
Tashmë vëmendja është përqendruar te seanca e sotme, ku në rend dite janë zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit, hapa të domosdoshëm për përfundimin e konstituimit të legjislaturës së re.
Mbetet të shihet nëse deputetët do të arrijnë ta përmbyllin procesin e konstituimit dhe çfarë pasojash juridike apo politike mund të ketë fakti që seanca po mbahet pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Be First to Comment