Skip to content

Kjo gje e rende i ndodhi vajzes nga familja Balidemaj qe valeviti flamurin “Autochthonous” ne Mal te zi

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka reaguar pasi Vatra Balidemaj u dërgua në gjyq dhe u gjobit me 300 euro për valëvitjen e flamurit “Autochthonous” gjatë një manifestimi të mbajtur më 1 gusht në Guci.

Përmes një reagimi publik, Camaj ka shprehur mbështetjen për 19-vjeçaren, duke kërkuar që ligji të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie etnike.

Ai ka rishpërndarë videon e Balidemajt nga koncerti ku ndodhi rasti, duke e shoqëruar me mesazhin:

“Vatra, siç e ke emrin zjarr, na rrofsh gjatë.”

Camaj ka bërë të ditur se pikërisht ndëshkimi i Vatra Balidemajt dhe i një vajze tjetër ishte arsyeja pse vendosi ta publikonte sërish videon.

“Nëse do të dënoheshin të gjithë për dukuri të tilla, sigurisht që do të ishte një numër i madh i banorëve të Malit të Zi. Pikërisht, dënimi i dy të rinjve është arsye shtesë për rishpërndarjen e videos”, ka deklaruar ai.

Sipas nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, nëse shteti konsideron se duhet të sanksionohen simbolet e caktuara në tubime publike, atëherë standardet duhet të jenë të njëjta për të gjithë qytetarët.

“Personalisht nuk mendoj se për këto dukuri duhet të ketë të dënuar. Por, nëse ka, atëherë vetëm zbatimi i barabartë dhe i paanshëm i ligjit mund të kontribuojë në besimin e qytetarëve në institucione”, është shprehur Camaj.

Ndërkohë, vetë Vatra Balidemaj ka bërë të ditur se është gjobitur pasi më 1 gusht, gjatë një manifestimi në Guci, valëviti flamurin “Autochthonous” në koncertin e Dava Gjergjit dhe Prengë Becit.

Sipas saj, flamuri u konsiderua provokues nga një pjesë e pjesëmarrësve.

“E valëvita flamurin ‘Autochthon’, ku i shqetësoi dhe e morën si provokim nënshtetasit e Plavës dhe Gucisë (boshnjakët)”, ka shkruar Balidemaj.

Ajo ka treguar se një ditë pas ngjarjes është ftuar për të dhënë deklaratë në polici dhe më pas rasti është proceduar në gjykatë, e cila e ka dënuar me gjobë prej 300 eurosh.

Në reagimin e saj, Balidemaj ka kritikuar edhe përfaqësuesit shqiptarë në partitë politike në Mal të Zi, duke thënë se nuk kanë reaguar publikisht në mbështetje të saj.

“Flamurin që e valëvita, e valëvita me krenari për heronjtë dhe kombin shqiptar në trojet e mia, që është e drejtë e imja. Jemi autoktonë e jo të ardhur në vendin tonë”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka pretenduar gjithashtu se në Mal të Zi ekzistojnë standarde të dyfishta në trajtimin e simboleve kombëtare, duke përmendur si shembull flamurin e Sanxhakut.

“Flamuri i Sanxhakut, i një rajoni që pretendon pjesë të Malit të Zi, nuk ju pengon, ndërsa simbolet shqiptare po”, ka shkruar Balidemaj, duke e përmbyllur reagimin e saj me thirrjen: “Rrnoft Shqypnia.”

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *