Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se deri në këtë fazë asnjë subjekt politik nuk i ka kërkuar zyrtarisht mbështetje PDK-së për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Duke folur para fillimit të seancës konstituive të legjislaturës së re, Hamza tha se PDK nuk ka zhvilluar asnjë bisedë për ndarjen e posteve institucionale, duke theksuar se prioritet i partisë mbeten programi qeverisës dhe çështjet që lidhen drejtpërdrejt me interesin e qytetarëve.
Sipas tij, fokusi i PDK-së vazhdon të jetë te zhvillimi ekonomik, forcimi i sundimit të ligjit, përmirësimi i sektorit të energjisë dhe adresimi i sfidave të tjera me të cilat përballet vendi.
Hamza theksoi se partia që ai drejton nuk është angazhuar në negociata për pozita, por mbetet e përkushtuar ndaj programit të saj politik dhe prioriteteve që i ka prezantuar para qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore.
Ai bëri të ditur gjithashtu se PDK do ta propozojë dhe mbështesë kandidatin e saj për postin e nënkryetarit të Kuvendit, duke theksuar se kjo i takon partisë si subjekti i dytë më i madh politik në Kuvend, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Deklaratat e Hamzës vijnë në ditën kur deputetët e legjislaturës së re pritet të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, ndërsa partitë politike vazhdojnë konsultimet për krijimin e institucioneve të reja dhe sigurimin e shumicës parlamentare.

Be First to Comment