Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar publikisht pas sulmeve dhe akuzave të fundit të drejtuara ndaj tij, duke thënë se fushata kundër tij ka kaluar kufijtë e debatit politik dhe është shndërruar në një sulm ndaj familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka deklaruar se prej kohësh po përballet me një fushatë të organizuar politike që, sipas tij, synon ta intimidojë dhe ta diskreditojë. Ai thekson se zhvillimet e fundit kanë shënuar kulmin e kësaj fushate, pasi në shënjestër nuk është më vetëm ai, por edhe bashkëpunëtorët e tij dhe bashkëshortja.
“Tash e sa kohë, përmes një fushate të orkestruar politike, janë përpjekur të më intimidojnë dhe të më diskreditojnë. Por ditët e fundit shënuan kulmin e kësaj fushate të ulët, ku në shënjestër nuk jam më vetëm unë, por edhe bashkëpunëtorët e mi dhe bashkëshortja ime”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, kur përplasja politike kalon në shpifje, fyerje dhe sulme ndaj familjarëve të njerëzve që nuk janë pjesë e jetës politike, nuk mund të flitet më për debat demokratik apo llogaridhënie.
“Kemi një përpjekje të vetëdijshme për të frikësuar, për të ushtruar presion dhe për të goditur përmes njerëzve më të afërt”, ka theksuar ai.
Rama ka bërë të ditur se gjithmonë ka mbështetur që çdo pretendim për interes publik të trajtohet nga institucionet e drejtësisë, duke theksuar se kjo është mënyra e vetme për të sqaruar çdo dyshim në një shtet demokratik.
“Kam vlerësuar faktin që çdo pretendim për interes publik t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë. Kjo është rruga e vetme në një shtet demokratik. Por mos e fshihni denigrimin, gjuhën e urrejtjes dhe linçimin prapa pretendimit për interes publik”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Prishtinës ka shprehur shqetësim edhe për faktin që, sipas tij, përmbajtje të tilla janë përdorur si instrument politik edhe në Asamblenë e Kryeqytetit.
“Përfshirja e tyre nuk është llogaridhënie. Nuk është interes publik. Është kalim i çdo kufiri njerëzor, moral dhe institucional. Edhe më shqetësues është fakti se kjo përmbajtje u përdor si instrument politik në Asamblenë e Kryeqytetit. Ky është treguesi më i qartë i degradimit të debatit publik dhe i standardit politik që disa kanë zgjedhur të përfaqësojnë”, është shprehur Rama.
Në fund të reagimit të tij, ai ka paralajmëruar se rasti do të ndiqet deri në instancat më të larta të drejtësisë, duke theksuar se kushdo që, sipas tij, ka marrë pjesë në organizimin, nxitjen apo përhapjen e kësaj fushate denigruese do të përballet me përgjegjësi ligjore.
“Ju siguroj se ky rast do të trajtohet deri në instancat më të larta të drejtësisë. Jo vetëm për të mbrojtur të vërtetën, por edhe dinjitetin e njerëzve që u linçuan publikisht dhe padrejtësisht. Shteti ligjor nuk mund të lejojë që linçimi dhe denigrimi të përdoren si instrumente të veprimit politik. Kjo nuk është më politikë. Është çnjerëzore”, ka përfunduar Rama.

Be First to Comment