Përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës duket se nuk kanë përfunduar as pas Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, ku kryetari Lumir Abdixhiku i mbijetoi mocionit për shkarkim.
Kryetari i degës së LDK-së në Skenderaj, Isa Fejzullahi, ka ngritur akuza të rënda lidhur me procesin e zhvilluar në Kuvend, duke pretenduar se disa delegatë që morën pjesë në votim nuk kanë pasur të drejtë të jenë pjesë e tij.
Përmes një reagimi në profilin e tij në Facebook, Fejzullahi ka deklaruar se disa persona jo vetëm që nuk kanë pasur të drejtë vote, por sipas tij, nuk është dashur të ishin fare të pranishëm në Kuvendin e Jashtëzakonshëm.
“Në Kuvendin e LDK-së dje ka pas delegatë le që s’kanë pas të drejtë me votu, po as me qenë aty. Le të më demantojë dikush nga qendra që vetë i ka zgjedhë, ma konkret e din Ilir Ferati!!”, ka shkruar Fejzullahi.
Deklarata e tij vjen vetëm një ditë pasi Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së vendosi që Lumir Abdixhiku të vazhdojë të udhëheqë partinë, pasi ai arriti të mbajë postin e kryetarit me një diferencë të ngushtë votash.
Deri në këtë fazë, drejtuesit qendrorë të LDK-së nuk kanë reaguar ndaj pretendimeve të ngritura nga Fejzullahi, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë një sqarim zyrtar lidhur me legjitimitetin e delegatëve që morën pjesë në procesin e votimit.
Deklaratat e kryetarit të degës së LDK-së në Skenderaj pritet të shtojnë debatet e brendshme në parti, në një periudhë kur zhvillimet politike dhe negociatat për formimin e institucioneve të reja janë në qendër të vëmendjes.
Në mungesë të një reagimi zyrtar nga LDK-ja, pretendimet e bëra nga Isa Fejzullahi mbeten deklarime të tij dhe nuk janë konfirmuar nga organet drejtuese të partisë.

Be First to Comment