Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka konfirmuar zyrtarisht se kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Lajmin e ka bërë të ditur anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e cila tha se ftesa nga Lëvizja Vetëvendosje është pranuar gjatë pasdites dhe se takimi është caktuar të mbahet nesër në orën 18:00.
“Po, pasdite kemi marrë ftesë nga kryetari i VV-së për të pasur një takim dhe për të diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit. Është konfirmuar që i njëjti do të mbahet në orën 18:00”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Ajo konfirmoi se në takim do të marrë pjesë vetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa ende nuk është vendosur nëse ai do të shoqërohet nga anëtarë të tjerë të ekipit negociator apo do të marrë pjesë i vetëm.
Sipas Lushaku-Sadriut, LDK mbetet e përkushtuar për të kontribuar në tejkalimin e ngërçit politik dhe formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se partia ka një qëndrim të qartë në këtë drejtim.
“LDK, në vazhdën e preokupimit që ka pasur gjatë këtyre dy viteve, ka qëndrim të qartë për të kontribuar në formimin e institucioneve, aq sa ka fuqi”, është shprehur ajo.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut shihet si një hap i rëndësishëm në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike, në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me vonesa në konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare.
Në ditët e fundit, drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shprehur optimizëm se negociatat me LDK-në mund të çojnë drejt një marrëveshjeje për formimin e institucioneve, ndërsa nga ana tjetër LDK ka theksuar se çdo vendim do të merret në përputhje me interesin e shtetit dhe qëndrimet e organeve të partisë.
Takimi i së martës pritet të jetë vendimtar për të parë nëse palët do të arrijnë të afrojnë qëndrimet e tyre dhe të hapin rrugën për krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.

Be First to Comment