Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka paralajmëruar intensifikimin e kontrolleve ndaj bizneseve që ofrojnë shërbime në sektorin e bukurisë, duke përfshirë berberët, frizerët dhe sallonet e stilimit, me fokus të veçantë në deklarimin e të ardhurave dhe respektimin e detyrimeve tatimore.
Sipas ATK-së, inspektimet në terren do të shtohen gjatë muajve në vijim, ndërsa në fokus do të jenë bizneset që ushtrojnë aktivitet ekonomik pa i deklaruar të gjitha të hyrat ose pa lëshuar kuponë fiskalë për shërbimet e ofruara.
Një nga mesazhet më të forta të Administratës Tatimore lidhet me përdorimin e rrjeteve sociale si burim informacioni gjatë kontrolleve. Sipas institucionit, edhe një fotografi apo video e publikuar në Facebook, Instagram, TikTok ose platforma të tjera mund të shërbejë si indicie për të verifikuar aktivitetin ekonomik të një biznesi.
Në praktikë, kjo nënkupton se publikimi i modeleve të flokëve, reklamimi i shërbimeve, fotografitë me klientë apo promovimi i termineve mund të krahasohen me deklarimet tatimore, nëse ekzistojnë dyshime për të ardhura të padeklaruara.
ATK u ka bërë thirrje të gjithë berberëve, frizerëve dhe pronarëve të salloneve të bukurisë që të respektojnë legjislacionin fiskal, të regjistrojnë çdo pagesë, të lëshojnë kupon fiskal për çdo shërbim dhe të deklarojnë saktë të ardhurat.
Administrata thekson se qëllimi i kontrolleve nuk është ndëshkimi i bizneseve që respektojnë ligjin, por luftimi i ekonomisë joformale dhe krijimi i konkurrencës së barabartë në treg.
Autoritetet kanë paralajmëruar se bizneset që konstatohet se nuk i përmbahen detyrimeve ligjore mund të përballen me masa ndëshkuese, përfshirë gjoba dhe procedura të tjera të parapara me legjislacionin në fuqi.

Be First to Comment