Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është pyetur për faktin se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk e ka vizituar asnjëherë atë dhe tre ish-krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Në intervistën me gazetarin Ermal Panduri, Thaçi ka zgjedhur të mos e komentojë drejtpërdrejt veprimin e Kurtit, duke dhënë një përgjigje të shkurtër.
Ai ka thënë se nuk dëshiron të merret me mënyrën se si veprojnë të tjerët.
“Nuk do që të merrem me disponimet dhe sjelljet e të tjerëve”, është shprehur Thaçi.
Ish-presidenti është pyetur gjithashtu për praninë e Glauk Konjufcës në sallën e gjykimit gjatë fjalëve përfundimtare në procesin gjyqësor në shkurt të vitit 2026.
Thaçi ka treguar se në galerinë e gjykatores kishte shumë persona, ndërsa vëmendjen kryesore e kishte te familjarët e tij.
“Kishte shumë njerëz në galeri. Vëmendjen e kisha tek familjarët që ishin ulur në një hapësirë më të dukshme. U përshëndeta nga distanca me të gjithë”, ka deklaruar Thaçi.
Gjatë intervistës, ish-presidentit i është kërkuar edhe një vlerësim për qasjen që Qeveria e Kosovës ka pasur ndaj Gjykatës Speciale dhe procesit që po zhvillohet në Hagë.
Por edhe në këtë pikë Thaçi ka zgjedhur të mos japë vlerësime.
“Nuk kam koment”, është përgjigjur shkurt ai.
Thaçi është pyetur gjithashtu nëse do ta pranonte Albin Kurtin në një takim në Hagë, nëse ky i fundit do të vendoste ta vizitonte.
Ish-presidenti nuk ka dhënë një përgjigje direkte, duke thënë se nuk deklarohet për situata hipotetike.
Çështja e mungesës së një vizite të Kurtit te ish-krerët e UÇK-së në Hagë është ngritur edhe më herët në debatin publik.
Vetë Kurti ishte pyetur gjatë një interviste në RTK se përse nuk kishte vizituar asnjërin prej ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Ai kishte deklaruar se e kishte menduar mundësinë e një vizite dhe kishte qenë i interesuar të shkonte, por kishte përmendur procedurat dhe dokumentacionin që duhej plotësuar si një prej arsyeve që e kishin penguar.
“Unë e kam menduar vizitën në Hagë edhe kam qenë i interesuar të shkoj, por faktori kryesor që më ka ndalur të shkoj është fakti që duhej plotësuar shumë dokumente, formularë, ku ti nënshkruan në Gjykatën Speciale”, kishte deklaruar Kurti.
Thaçi, megjithatë, nuk ka dashur të hyjë në polemikë me kryeministrin në detyrë lidhur me këtë çështje.
Përgjigjja e tij se nuk dëshiron të merret me “disponimet dhe sjelljet e të tjerëve” ishte komenti i vetëm që dha kur u pyet drejtpërdrejt për mungesën e vizitës së Kurtit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në Hagë në kuadër të procesit gjyqësor ndaj tyre, ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat përballen.
Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, ata gëzojnë prezumimin e pafajësisë.

Be First to Comment