Skip to content

Dite e rëndë në Kosovë, humbin jetën dy persona

Dy raste të rënda janë raportuar në Kosovë, ku një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës, ndërsa në një rast tjetër një grua është gjetur pa shenja jete në oborrin e një shtëpie në Ranillug.

Rasti më i fundit është ai i punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti, i cili ka humbur jetën sot, më 20 gusht, pas një aksidenti të rëndë në vendin e punës.

Sipas informacioneve të publikuara, Ahmeti ishte duke kryer detyrat e tij të punës, konkretisht ishte i angazhuar në transportimin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, kur ra në kontakt me tensionin elektrik.

Si pasojë, ai pësoi lëndime të rënda.

Menjëherë pas aksidentit janë ndërmarrë veprimet emergjente, ndërsa punëtori është transportuar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për t’ia shpëtuar jetën, Ahmeti nuk arriti t’u mbijetonte lëndimeve të marra.

Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar pas vdekjes së tij, duke bërë të ditur se Arbenit Ahmeti humbi jetën në krye të detyrës dhe duke u shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij.

Organet kompetente janë duke u marrë me rastin, ndërsa rrethanat e plota të aksidentit pritet të sqarohen përmes hetimeve.

Gruaja gjendet pa shenja jete në oborrin e shtëpisë në Ranillug

Një tjetër rast i rëndë është raportuar sot nga Policia e Kosovës, ndonëse ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, më 19 gusht.

Një grua është gjetur pa shenja jete në oborrin e një shtëpie në Korminjan të Poshtëm, në komunën e Ranillugut.

Sipas Policisë së Kosovës, pas raportimit të rastit, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Në lokacion ka dalë edhe ekipi mjekësor, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e gruas.

Sipas informacioneve shtesë të raportuara nga Sinjali, viktima ishte 53-vjeçare, ndërsa rasti ishte raportuar më 19 gusht, rreth orës 17:20.

Për zbardhjen e rrethanave janë angazhuar organet kompetente, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rezultatet e ekzaminimit mjeko-ligjor pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *