Një tragjedi e rëndë detare ka ndodhur në Indonezi, ku një traget me qindra pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit është përfshirë nga flakët gjatë lundrimit.
Sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet indoneziane, të paktën pesë persona kanë humbur jetën, ndërsa 41 të tjerë vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.
Incidenti ka shkaktuar një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi, ndërsa deri më tani raportohet se 225 persona janë shpëtuar.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit të Indonezisë, Basarnas, zjarri është përhapur me shpejtësi në traget, duke krijuar panik mes personave që ndodheshin në bord.
Përballë flakëve, një numër pasagjerësh janë detyruar të hidhen në det në përpjekje për të shpëtuar.
Ekipet e shpëtimit janë mobilizuar menjëherë pas marrjes së alarmit, ndërsa disa mjete lundruese që ndodheshin në afërsi janë angazhuar gjithashtu për të ndihmuar pasagjerët.
Sipas Agjencisë Rajonale të Kërkim-Shpëtimit në Surabaya, disa anije ndodheshin pranë tragetit në momentin kur shpërtheu zjarri.
Megjithatë, situata në vendin e incidentit ka qenë tepër e rrezikshme.
Katër prej anijeve raportohet se nuk kanë mundur t’i afrohen menjëherë tragetit për shkak të intensitetit të flakëve dhe rrezikut që paraqisnin materialet e ndezshme në bord.
Trageti kishte nisur udhëtimin nga qyteti Surabaya, në provincën Java Lindore, dhe destinacion kishte qytetin Makassar, në provincën Sulawesi Jugor.
Sipas informacioneve të autoriteteve, kapiteni kishte arritur të njoftonte kompaninë për shpërthimin e zjarrit.
Vetëm pak minuta më vonë, komunikimi me të ishte ndërprerë.
Ky moment ka aktivizuar operacionin emergjent, me autoritetet që kanë angazhuar anije dhe ekipe të specializuara për lokalizimin dhe shpëtimin e personave që ndodheshin në det.
Deri më tani, bilanci mbetet i rëndë.
Pesë persona raportohet se janë konfirmuar të vdekur, 225 janë shpëtuar, ndërsa fati i 41 personave të tjerë mbetet ende i panjohur.
Operacioni është përqendruar pikërisht në gjetjen e personave që vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.
Autoritetet shpresojnë që një pjesë e tyre të kenë arritur të largohen nga trageti dhe të ndodhen ende në det ose të jenë shpëtuar nga mjete të tjera lundruese pa u regjistruar ende zyrtarisht.
Zyrtarë të Ministrisë së Transportit të Indonezisë kanë bërë të ditur se prioriteti kryesor në këtë fazë është shpëtimi i pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit.
“Siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit është prioriteti ynë. Po bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha institucionet përgjegjëse për ta përfunduar operacionin e evakuimit sa më shpejt dhe në mënyrë sa më të sigurt”, ka deklaruar një zyrtar i ministrisë.
Ndërkohë, ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Autoritetet kanë paralajmëruar një hetim për përcaktimin e shkakut të incidentit, ndërsa një pjesë e ekzaminimeve pritet të zhvillohen pasi të përfundojë faza emergjente e kërkim-shpëtimit.
Hetuesit pritet të analizojnë mënyrën se si ka nisur zjarri, shpejtësinë me të cilën është përhapur dhe funksionimin e sistemeve të sigurisë dhe evakuimit të tragetit.
Indonezia është një shtet me më shumë se 17 mijë ishuj dhe transporti detar luan rol jetik në lëvizjen e miliona njerëzve dhe mallrave ndërmjet rajoneve të ndryshme.
Megjithatë, vendi është përballur ndër vite me aksidente të rënda detare, ndërsa çështjet e sigurisë së trageteve vazhdojnë të jenë në vëmendjen e autoriteteve.
Tragjedia e fundit vjen vetëm pak kohë pas një tjetër aksidenti të rëndë detar të raportuar në vend, ku një traget me dhjetëra persona në bord u fundos pranë ishullit Selayar.
Tashmë vëmendja është përqendruar te operacioni për gjetjen e 41 personave që vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.
Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet, ndërsa bilanci mund të ndryshojë me zhvillimin e operacionit dhe verifikimin e listave të pasagjerëve.
Autoritetet indoneziane kanë bërë të ditur se kërkimet do të vazhdojnë, me shpresën që personat e zhdukur të lokalizohen dhe të gjenden të gjallë.

Be First to Comment