Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është bërë pjesë e një reagimi publik, ku pretendohet se mëngjesin e sotëm, derisa disa persona po e prisnin para ndërtesës së Qeverisë, ai ndodhej në një pishinë në Bajë të Malishevës.
Sipas pretendimit të publikuar, Kurti rreth orës 07:30 të mëngjesit ndodhej së bashku me bashkëpartiakët e tij, Gani Krasniqi dhe Valon Hoti.
“Sot, në orën 7:30 të mëngjesit, kur ne po e prisnim para zyrave të Qeverisë, deputeti Albin Kurti po bënte qejf bashkë me bashkëpartiakët e tij, Gani Krasniqi e Valon Hoti, në pishinë, në Bajë të Malishevës”, thuhet në reagim.
Autori i reagimit pretendon gjithashtu se Kurti shoqërohej nga një numër i madh pjesëtarësh të sigurimit, të vendosur brenda dhe jashtë hapësirës së pishinës.
“Ne po prisnim para Qeverisë. Ai po notonte, i rrethuar nga një ushtri sigurie, larg zhurmës së kryeqytetit, i rrethuar me disa dhjetëra pjesëtarë të sigurimit, brenda dhe jashtë pishinës”, thuhet tutje.
Në reagim, situata është përdorur edhe për të kritikuar mënyrën se si pushteti aktual e paraqet raportin e tij me qytetarët.
“Ky është realiteti i pushtetit që pretendon se është pranë qytetarëve”, thuhet në fund.
Pretendimet lidhur me vendndodhjen e Kurtit në orën e përmendur, personat që e shoqëronin dhe numrin e pjesëtarëve të sigurimit nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Deri në një sqarim nga Kurti, Qeveria apo institucionet përgjegjëse, këto informacione duhet të trajtohen si pretendime të autorit të reagimit dhe jo si fakte të konfirmuara.

Be First to Comment