Skip to content

Këta janë dy të rinjtë që humben jetën nga aksidenti tragjik në rrugën Mitrovicë–Prishtinë

Janë bërë të ditur identitetet e dy të rinjve që humbën jetën në aksidentin tragjik të trafikut, i cili ndodhi në orët e para të mëngjesit të 19 gushtit në Smrekonicë të Vushtrrisë.

Viktimat janë Qëndrim Xhemajli dhe Rinor Zejnullahu, dy të rinj nga Mitrovica.

Lajmi për vdekjen e tyre ka tronditur familjet Xhemajli dhe Zejnullahu, të afërmit, miqtë dhe qytetarët e Mitrovicës.

Aksidenti fatal ka ndodhur rreth orës 02:53 në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, përkatësisht në segmentin rrugor që kalon nëpër fshatin Smrekonicë.

Sipas informacioneve të Policisë së Kosovës, në aksident ishte përfshirë një veturë, në të cilën ndodheshin shoferi dhe pasagjeri.

Të dy të rinjtë kishin pësuar lëndime të rënda dhe ishin dërguar për trajtim mjekësor, por fatkeqësisht mjekët kishin konstatuar vdekjen e tyre.

“Rreth orës 02:53, të datës 19 gusht 2026, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Smrekovnicë, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Viktimat, sipas Policisë, ishin të moshës 22 dhe 24 vjeç.

Me urdhër të prokurorit kompetent, trupat e pajetë të Qëndrim Xhemajlit dhe Rinor Zejnullahut janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet që çuan deri te aksidenti fatal, ndërsa organet kompetente po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar dinamikën dhe rrethanat e plota të ngjarjes.

Humbja e dy të rinjve brenda një nate ka shkaktuar dhimbje të madhe në Mitrovicë, ndërsa familjarët dhe të afërmit po përballen me lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të Qëndrimit dhe Rinorit.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *