Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur sërish për Urën e Ibrit në Mitrovicë, duke kundërshtuar hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve.
Vuçiq ka paralajmëruar se do t’i drejtohet me një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, nga i cili do të kërkojë që të mos lejohet hapja e urës.
Presidenti serb ka deklaruar se letrën mund ta dërgojë gjatë ditës së sotme ose nesër, ndërsa ka shprehur dyshime nëse kërkesa e tij do të pranohet.
“Mund ta bëj këtë sot. Dhe turku, komandanti i KFOR-it, po e bën këtë. Së shpejti do t’i shkruaj Mark Ruttes dhe nuk besoj se ai do t’i përgjigjet letrës sime dhe se do ta pranojë kërkesën time për të mos e bërë këtë. Do t’i dërgoj një letër sot ose nesër”, deklaroi Vuçiq.
Ai iu referua edhe komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, duke e lidhur atë me zhvillimet rreth urës.
Deklarata e Vuçiqit vjen në një kohë kur çështja e hapjes së Urës së Ibrit është rikthyer fuqishëm në debatin politik dhe të sigurisë.
Sipas raportimeve të 18 gushtit, Bashkimi Evropian një ditë më parë kishte konfirmuar se janë plotësuar kushtet për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve.
Ura kryesore mbi lumin Ibër lidh Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut dhe për vite me radhë ka qenë një nga pikat më të ndjeshme politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës.
Vuçiq kishte reaguar edhe më herët ndaj zhvillimeve rreth urës, duke pretenduar se Serbia kishte ndërhyrë për të parandaluar hapjen e saj për automjete.
Tashmë presidenti serb synon që kërkesën e tij ta adresojë drejtpërdrejt te kreu i NATO-s, ndërsa mbetet të shihet nëse Mark Rutte do t’i përgjigjet letrës dhe cili do të jetë qëndrimi i Aleancës lidhur me kërkesën e Vuçiqit.

Be First to Comment