Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Kliqinë, në magjistralen Pejë–Prishtinë.
Aksidenti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa Policia e Kosovës është njoftuar për rastin rreth orës 05:00.
Në aksident janë përfshirë tri vetura, ndërsa si pasojë e përplasjes katër persona kanë pësuar lëndime trupore.
Të lënduarit janë transportuar me urgjencë për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës.
Fatkeqësisht, njëri prej tyre nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra. Vdekja e tij është konfirmuar nga mjeku kujdestar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës.
Lajmin për aksidentin me fatalitet e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Rreth orës 5 të mëngjesit Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Kliqinë, në magjistralën Pejë-Prishtinë. Në aksident janë të përfshira tri vetura. Katër persona kanë marrë lëndime, ku të njëjtit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë. Por, njërit nga të lënduarit mjeku kujdestar në Emergjencë ia ka konfirmuar vdekjen. Në vendin e ngjarjes janë të gjitha njësitë kompetente policore”, ka deklaruar Gashi për Klankosova.tv.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente të Policisë së Kosovës, të cilat po merren me ekzaminimin e vendit dhe mbledhjen e provave që mund të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të aksidentit.
Ende nuk janë bërë të ditura identiteti i viktimës dhe i personave të lënduar, ndërsa nuk ka informacione të detajuara as për gjendjen aktuale shëndetësore të tre të mbijetuarve.
Po ashtu, mbetet për t’u përcaktuar dinamika e përplasjes së tri automjeteve dhe shkaqet që çuan deri te aksidenti me pasoja fatale.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit po vazhdojnë.


Be First to Comment