Vlora Çitaku paralajmëron veprime të reja të PDK-së: “Do ta shihni ditëve në vijim, brenda dhe jashtë Kuvendit”
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka paralajmëruar se PDK-ja do të vazhdojë me veprime të tjera politike në ditët në vijim nëse nuk thirret seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
E ftuar në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Çitaku tha se aktivitetet e PDK-së do të zhvillohen si brenda, ashtu edhe jashtë Kuvendit, por nuk dha detaje konkrete se për çfarë veprimesh bëhet fjalë.
Deklarata e saj vjen pas zhvillimeve të fundit në Kuvend dhe përplasjeve politike rreth procesit të konstituimit të institucionit.
“Demokracia është e suspenduar”
Çitaku tha se për PDK-në çështja nuk lidhet me mandatet individuale të deputetëve, por me funksionimin e institucioneve të vendit.
“E vërteta është që sot kemi përpjekje serioze, nuk bëhet thjesht fjalë për vendin tim të punës se a jam unë deputete a jo, bash hiç rëndësi nuk ka. Këtu po bëhet suspendimi i demokracisë dhe institucioni më i rëndësishëm ku diskutojmë për hallet e qytetarëve, për sfidat e pafundme që i kanë, është i mbyllur”, deklaroi Çitaku.
Ajo pretendoi se situata aktuale përbën një sinjal të rrezikshëm për demokracinë në Kosovë.
“Sot në shtetin tonë demokracia është e suspenduar dhe për çdo gjë vendos një njeri dhe një parti. Ky është sinjal i rrezikshëm”, tha ajo.
Paralajmërimi: “Do të kemi aktivitete të shumta”
Pjesa që mori vëmendje të veçantë nga deklarata e Çitakut ishte paralajmërimi për veprimet e ardhshme të PDK-së.
Ajo tha se partia nuk do të ndalet dhe se aktivitetet do të vazhdojnë që nga dita e nesërme.
“Ne nuk do të ndalemi jo për ta mbrojtur karrigen tonë, por për ta mbrojtur shtetin tonë. Do ta shihni ditëve në vijim, do të kemi aktivitete të shumta edhe nesër brenda dhe jashtë Kuvendit”, deklaroi Çitaku.
Megjithatë, ajo nuk tregoi konkretisht se çfarë aktivitetesh po planifikon PDK-ja dhe se çfarë forme do të marrin veprimet jashtë Kuvendit.
“Nuk është Kuvendi muze”
Çitaku përdori tone të forta edhe kur foli për rëndësinë që, sipas saj, ka Kuvendi si institucion.
“Nuk është Kuvendi muze, nuk është një ndërtesë me tulla e beton, por është institucion dhe për shumë prej nesh nuk është thjesht vend pune”, tha ajo.
Deputetja e PDK-së tregoi se ka edhe një lidhje personale me institucionin.
“Unë kam lidhje emocionale me atë vend dhe me pa të degraduar në këtë formë, ka mbërritur kulmi”, deklaroi Çitaku.
PDK nuk do që “shkelja të normalizohet”
Çitaku ka insistuar se PDK-ja do të vazhdojë të kërkojë konstituimin e Kuvendit.
Sipas saj, ky proces nuk duhet të trajtohet si çështje e vullnetit politik të një partie, por si detyrim institucional.
“Ne kemi shkuar në Kuvend me kërku konstituim, le të vjen zotëria. Konstituimi nuk është çështje dëshire e as mundësi politike, por është detyrim politik”, deklaroi ajo.
Çitaku tha se PDK-ja është e gatshme të marrë pjesë në seancë nëse ajo thirret.
“Le të vjen Avni Dehari dhe le të na fton, ne do të shkojmë të votojmë me solemnitet”, shtoi ajo.
Çitaku i referohet vendimit të Kushtetueses
Në argumentimin e saj, deputetja e PDK-së iu referua edhe një aktvendimi të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se afati për konstituimin e Kuvendit është 30 ditë.
“Shkelje kushtetuese ka, ka aktvendim të Gjykatës Kushtetuese i cili është i qartë si loti dhe në të cilin thuhet se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh”, deklaroi Çitaku.
Sipas saj, problemi qëndron edhe te mungesa e një mekanizmi të qartë sanksionues në rast se konstituimi nuk realizohet brenda afatit.
“Shkelja veç shkon dhe bëhet më e rëndë çdo ditë që vonohet”, tha ajo.
Thirrje Albin Kurtit: “Eja në Kuvend”
Në fund, Çitaku i bëri thirrje drejtpërdrejt kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të marrë pjesë në procesin e konstituimit të Kuvendit.
Ajo tha se PDK-ja nuk do të lejojë që ajo që partia e konsideron shkelje kushtetuese të shndërrohet në normalitet politik.
“Ne nuk do të lejojmë që shkelja të normalizohet”, deklaroi Çitaku.
“Ne i bëjmë thirrje edhe një herë Albin Kurtit, eja në Kuvend ta konstituojmë Parlamentin, shumicën e ka”, përfundoi ajo.
Paralajmërimi i Çitakut për aktivitete “brenda dhe jashtë Kuvendit” e lë të hapur çështjen se cilët do të jenë hapat e ardhshëm të PDK-së. Nëse seanca nuk thirret, sipas saj, veprimet do të vazhdojnë që në ditët e ardhshme.

Be First to Comment