Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se çështja e mundësisë së devijimit të rrjedhës së lumit Ibër është, sipas tij, një çështje e brendshme e Serbisë, deklaratë që ka nxitur reagim të menjëhershëm nga Shqipëria.
Duke folur për RTS, Vuçiq ka minimizuar shqetësimet e ngritura nga autoritetet shqiptare, duke thënë:
“Është çështje e jonë e brendshme. Nuk e di se çfarë lidhje ka Ibri me Shqipërinë.”
Deklarata e presidentit serb vjen pasi ai kishte bërë të ditur se Serbia po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes në rrjedhën e lumit Ibër, përmes angazhimit të ekspertëve dhe institucioneve përkatëse.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i cili ka shprehur shqetësim të thellë, duke theksuar se një lumë ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje e brendshme e vetëm një shteti.
Sipas Hoxhës, çdo ndërhyrje në rrjedhën e një lumi që prek më shumë se një shtet ka pasoja të drejtpërdrejta për mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve.
“Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje e brendshme e një shteti dhe as të vendoset në mënyrë të njëanshme. Pasojat e tij prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një vendi tjetër”, ka deklaruar Hoxha.
Ministri shqiptar rikujtoi se e drejta ndërkombëtare përcakton qartë detyrimet për përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, duke përfshirë detyrimin për konsultim, shkëmbim informacioni dhe shmangien e dëmeve ndaj shteteve të tjera.
Ai theksoi gjithashtu se Serbia është palë e Konventës së UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që nga viti 2010 dhe ka detyrime ndërkombëtare që duhet t’i respektojë.
“Shqipëria pret që Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij, çdo projekt që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë ose cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet në mënyrë transparente, mbi baza shkencore, pas një vlerësimi të plotë të ndikimit ndërkufitar dhe në konsultim me palët e prekura.
“Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”, deklaroi ministri shqiptar.
Në fund, Hoxha ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për të drejtën e Kosovës në mbrojtjen e burimeve të saj ujore dhe bëri thirrje që çështje të tilla të trajtohen përmes dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve ndërkombëtare, e jo përmes veprimeve të njëanshme.
Reagimi i Tiranës vjen në një kohë kur deklaratat e fundit të presidentit serb për lumin Ibër kanë ngjallur shqetësime në Kosovë dhe rajon, për shkak të rëndësisë strategjike që ky lumë ka për furnizimin me ujë, energjinë dhe ekosistemin në të dyja anët e kufirit.

Be First to Comment