Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të zhvillojnë shumë shpejt një takim, në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi institucional në vend.
Haxhiu ka deklaruar se dialogu mes partive politike duhet të vazhdojë, ndërsa një nga temat kryesore duhet të jetë zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës dhe gjetja e një kandidati që mund të sigurojë konsensus të gjerë politik.
Sipas saj, tashmë ekzistojnë qëndrime nga LDK-ja dhe LVV-ja që presidenti i ardhshëm të jetë një figurë konsensuale, duke shtuar se ka ardhur koha që partitë të fillojnë të diskutojnë edhe për emra konkretë.
“Partitë të ulen dhe të flasin për çështjen e presidentit. Kemi një qëndrim të LDK-së për president, pra le të fillojmë të flasim me emra për një kandidat konsensual, për një kandidat që nuk është në parti politike”, deklaroi Haxhiu.
Ajo tha se kryetari i LVV-së, Albin Kurti, tashmë ka bërë të qartë se kjo parti nuk po kërkon që posti i presidentit domosdoshmërisht t’i takojë një personi nga radhët e saj.
“Kurti e përmendi që nuk duan që presidenti të jetë nga radhët e VV-së, sepse ka pasur diskutime që VV po insiston të jetë nga radhët e tyre, pra edhe LVV thekson që janë për një president konsensual”, tha ajo.
Haxhiu më pas zbuloi se, sipas informacionit të dhënë nga Kurti, një takim ndërmjet LVV-së dhe LDK-së pritet të zhvillohet shumë shpejt.
“Uroj që takimet me partitë të vazhdojnë dhe ato të ndodhin shumë shpejt, pra sipas njoftimit që Kurti na tha, me LDK do të ketë një takim shumë shpejt”, deklaroi Haxhiu.
Ajo ka shprehur dëshirën që dialogut t’i bashkohen edhe partitë e tjera politike, duke kërkuar që takimet të mos refuzohen në një periudhë kur vendi po përballet me ngërç institucional.
“Uroj që këtyre takimeve t’iu bashkohen edhe partitë e tjera politike”, shtoi ajo.
Deklarata e Haxhiut vjen në një kohë kur çështja e presidentit të ardhshëm është kthyer në një nga temat kryesore të diskutimeve politike, ndërsa partitë po kërkojnë një formulë që do të mundësonte arritjen e një marrëveshjeje dhe shmangien e thellimit të krizës institucionale.
Tashmë mbetet të shihet se kur do të zhvillohet takimi i paralajmëruar mes LVV-së dhe LDK-së dhe nëse në tryezën e diskutimeve do të dalin edhe emrat e parë konkretë për një kandidat konsensual për president.

Be First to Comment